×
Saturday, May 30, 2026

Alarm për dron në Aeroportin e Mynihut, pezullohen përkohësisht fluturimet

May 30, 2026


Fluturimet në Aeroporti i Mynihut, një nga aeroportet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Gjermanisë, u ndërprenë përkohësisht mëngjesin e sotëm pas raportimeve për praninë e mundshme të një droni pranë zonës së operimit.

Sipas mediave gjermane, përfshirë Focus Online dhe Bild, autoritetet aeroportuale vendosën të ndalonin përkohësisht trafikun ajror për arsye sigurie, ndërsa nisën verifikimet për objektin e dyshimtë të identifikuar pranë aeroportit.

Pas kontrolleve të kryera, aktiviteti ajror rifilloi gradualisht dhe operimet po kthehen në normalitet, raportoi Focus Online.

Deri në momentin e raportimeve, drejtuesit e aeroportit dhe policia nuk kishin dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi incidentin apo mbi natyrën e saktë të alarmit.

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të aeroportit tregonin se disa fluturime të planifikuara deri rreth orës 10:00 sipas kohës lokale u vonuan ose u anuluan, ndërsa pjesa tjetër e trafikut ajror vijoi sipas planifikimit.

Autoritetet pritet të sqarojnë në orët në vijim nëse bëhej fjalë për një dron të konfirmuar apo për një alarm të rremë që aktivizoi procedurat standarde të sigurisë. Incidenti rikthen në vëmendje shqetësimet në rritje për rrezikun që paraqesin dronët pranë aeroporteve dhe ndikimin që mund të kenë në sigurinë e fluturimeve civile.




Comments are closed.