×
Saturday, May 30, 2026

Libri “Women Changing Cities” rendit Anuela Ristanin mes 10 grave që po transformojnë qytetet

May 30, 2026


Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës dhe kryetare e deleguar e institucionit, Anuela Ristani, është përfshirë mes 10 grave lidere në botë që po kontribuojnë në transformimin e qyteteve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës urbane, sipas librit “Women Changing Cities”.

Botimi i autorëve Melissa Bruntlett dhe Chris Bruntlett sjell historitë e grave që udhëheqin procese të rëndësishme zhvillimi urban në qytete të ndryshme të botës, duke promovuar modele më të qëndrueshme, të gjelbra dhe gjithëpërfshirëse të qeverisjes.

Në këtë publikim, Ristani renditet krah figurave të njohura ndërkombëtare si Anne Hidalgo, Claudia López Hernández dhe Valérie Plante.

Autorët vlerësojnë kontributin e Ristanit në proceset e transformimit urban të Tiranës, veçanërisht në politikat për zhvillimin e qëndrueshëm, zbatimin e Green City Action Plan dhe nismat që synojnë ta bëjnë kryeqytetin më të aksesueshëm, më të sigurt dhe më miqësor për familjet dhe fëmijët.

Në libër theksohet se Anuela Ristani ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e Tiranës me rrjetet ndërkombëtare të zhvillimit urban dhe në promovimin e politikave që lidhen me reziliencën, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen sociale.

Përpara angazhimit në Bashkinë e Tiranës, ajo ka qenë themeluese e Shërbimi Kombëtar i Rinisë dhe bashkëthemeluese e RYCO, organizatë që promovon bashkëpunimin rinor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas autorëve, përvoja e saj në politikat rinore dhe qeverisjen vendore ka ndikuar në ndërtimin e një modeli zhvillimi urban që vendos në qendër komunitetin, hapësirat publike, transportin e qëndrueshëm dhe cilësinë e jetës.

Përfshirja e Anuela Ristanit në librin “Women Changing Cities” konsiderohet një vlerësim ndërkombëtar jo vetëm për punën e saj, por edhe për transformimin e Tiranës, e cila paraqitet si një nga qytetet që po ndërton një model modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit urban në rajon.




Comments are closed.