Kroçera luksoze franceze “Le Boréal” viziton për herë të parë Sarandën
Porti i Sarandës mirëpriti sot kroçerën luksoze Le Boréal, një nga anijet turistike që operon në segmentin e turizmit elitar, duke shënuar vizitën e saj të parë në qytetin bregdetar shqiptar.
Anija, me gjatësi 142 metra dhe nën flamur francez, mbërriti me rreth 200 turistë në bord. Pjesa më e madhe e pasagjerëve, rreth 180 persona, janë shtetas francezë, ndërsa të tjerët vijnë nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në Sarandë, turistët do të vizitojnë atraksionet kryesore historike, kulturore dhe natyrore të qytetit dhe zonave përreth, duke përfshirë destinacione që tërheqin çdo vit mijëra vizitorë të huaj.
Mbërritja e kroçerës konsiderohet një zhvillim pozitiv për turizmin lokal, pasi sjell një kategori vizitorësh me fuqi të lartë shpenzuese dhe kontribuon në promovimin e Sarandës si një destinacion i rëndësishëm i kroçerave në Mesdhe.
Sipas programit të lundrimit, Le Boréal do të rikthehet sërish në Portin e Sarandës më 23 qershor, duke konfirmuar interesin në rritje të operatorëve ndërkombëtarë për rivierën shqiptare dhe potencialin turistik të jugut të vendit.







