×
Saturday, May 30, 2026

Hegseth: SHBA gati të veprojë sërish kundër Iranit nëse është e nevojshme

May 30, 2026


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të gatshme për të ndërmarrë operacione të reja ushtarake kundër Iranit, nëse zhvillimet e situatës do ta kërkojnë një gjë të tillë.

Duke folur në forumin ndërkombëtar të sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapore, Hegseth theksoi se administrata amerikane mbetet e përkushtuar për të penguar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.

“SHBA është e angazhuar për të penguar Iranin që të pajiset me një armë bërthamore”, deklaroi ai.

Komentet e shefit të Pentagonit vijnë në një moment kur negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi çështjet që lidhen me programin bërthamor iranian dhe sigurinë në rajon.

Hegseth nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen nga angazhimet e tyre ndërkombëtare dhe se siguria globale mbetet një prioritet i politikës amerikane.

“Kemi ende detyrime globale për të garantuar që, për shembull, Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, u shpreh ai.

Deklarata e sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen mes tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe diskutimeve diplomatike për një marrëveshje të re mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Uashingtoni vijon të mbajë presion ndaj Teheranit për aktivitetet e tij bërthamore.




Comments are closed.