SHBA ratifikon huanë 302 milionë dollarëshe për Shqipërinë, fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura

04 Aug 2026 • 09:28
Shpërndaje:

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), me synim mbështetjen e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të vendit në NATO.

Në njoftimin e publikuar, DASH thekson se financimi do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë objektivin e miratuar në Samitin e NATO-s në Hagë, i cili parashikon që vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

“Sot, Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një huaje të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së angazhimit të Mbrojtjes të Hagës, që parashikon shpenzimin e 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Reklamë Ola

Sipas autoriteteve amerikane, fondet do të përdoren për blerjen e kapaciteteve ushtarake me origjinë amerikane, me synimin për të përshpejtuar modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe për të rritur aftësitë mbrojtëse të vendit.

Departamenti i Shtetit vlerëson se investimi do të ketë ndikim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për sigurinë euroatlantike.

Reklamë InterMedika

“Huaja FMF do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane dhe do të forcojë aftësinë e Evropës për të udhëhequr vetë në fushën e mbrojtjes”, theksohet në njoftim.

Në deklaratë vlerësohet gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s.

“Si aleat i NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thuhet më tej.

Pas njoftimit të Uashingtonit reagoi edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për mbrojtjen shqiptare dhe si një tjetër dëshmi të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas Nufit, miratimi i huasë përfaqëson një “votë besimi strategjike” të SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.

“Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarë në kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF). Votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare”, u shpreh ministri.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë së Shqipërisë.

“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë”, deklaroi Nufi.

Ministri shtoi se fondet do të përshpejtojnë modernizimin e ushtrisë shqiptare, do të rrisin gatishmërinë operacionale të Forcave të Armatosura dhe do të forcojnë kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, përfundoi ai.