SHBA plan për rimëkëmbjen e sektorit të naftës dhe gazit
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se ka udhëzuar kabinetin e tij të hartojë një plan për rimëkëmbjen e sektorit të naftës dhe gazit, sektorë të cilët janë prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) duke shënuar një rënie historike gjatë ditës së djeshme, transmeton.
Në llogarinë e tij në twitter, Trump shkroi se ata kurrë nuk do të lejojnë “rënien e industrisë së shkëlqyeshme amerikane të naftës dhe gazit”.
“Kam udhëzuar Sekretarin e Energjisë dhe Sekretarin e Thesarit që të hartojnë një plan që do të vë në dispozicion fonde, në mënyrë që këto kompani dhe punë shumë të rëndësishme të sigurohen gjatë në të ardhmen”, shkroi Trump.
Pas rënies së çmimit të naftës, sot rezervat amerikane u vunë nën presion të shtuar.
Dje, çmimi për një fuçi të naftës së papërpunuar “West Texas Intermediate” ra ndjeshëm, duke kaluar në fushë negative për herë të parë në histori pasi kërkesa vazhdon të shënojë rënie për shkak të masave që synojnë të mbajnë popullin të mbyllur brenda në shtëpi në mes të pandemisë së koronavirusit.
Në bazë të “kontratës të së ardhmes”, që skadon sot, çmimi për një fuçi nafte ra nga 17.73 dollarë në -37.63 dollarë, një rënie prej më shumë se -290 për qind. Kjo do të nënkuptonte se ka një tepricë kundrejt kërkesës dhe furnizuesit duhet të paguajnë për të shkarkuar inventarin e tyre.
Standardi ndërkombëtar i papërpunuar “Brent” po ashtu shënoi rënie, duke u vendosur me një çmim prej rreth 25 dollarë.
Përveç përpjekjeve globale që kanë mbajtur njerëzit brenda në shtëpi, një mosmarrëveshje e fundit midis Rusisë dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të udhëhequr nga sauditët vërshoi tregjet ndërkombëtare të naftës me furnizim të tepërt ndërkohë që prodhuesit kanë reduktuar furnizimin.
Më 12 prill, mekanizmi OPEC+ arriti një marrëveshje përfundimtare për të shkurtuar prodhimin e tyre kolektiv të naftës, duke filluar nga 1 maji me një nivel rekord prej 10 milionë fuçi në ditë për të balancuar tregun e naftës.
Eunews.al