SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadën e përhershme në Jerusalem
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan sot një marrëveshje për ndërtimin e ambasadës së tyre të përhershme në Jerusalem, një hap që autoritetet izraelite e cilësuan si dëshmi të “aleancës së pathyeshme” mes dy vendeve.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, ambasadori amerikan Mike Huckabee tha se SHBA jo vetëm e njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, por po e konkretizon këtë qëndrim me ndërtimin e një kompleksi të ri diplomatik.
“Shtetet e Bashkuara jo vetëm që e njohin Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm të popullit hebre, por edhe po veprojnë mbi këtë njohje. Ne do të ngremë flamurin amerikan në kompleksin e ri të ambasadës sonë të përhershme në Jerusalem”, deklaroi Huckabee.
Ai shtoi me ironi se “Zoti e mori këtë vendim 3 800 vjet më parë dhe SHBA vetëm sa po njeh atë që ekzistonte shumë kohë para krijimit të saj”.
Ambasada e re do të ndërtohet në kompleksin e njohur si Allenby, në pjesën jugore të Jerusalemit, duke zëvendësuar shërbimet diplomatike që aktualisht janë të shpërndara në disa godina të qytetit.
Vendimi pason njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, në dhjetor 2017, kur ai urdhëroi edhe zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Statusi i Jerusalemit mbetet një nga çështjet më të debatueshme në konfliktin izraelito-palestinez. Izraeli pushtoi dhe aneksoi Jerusalemin Lindor në vitin 1967 dhe e konsideron të gjithë qytetin kryeqytetin e tij të pandarë, ndërsa palestinezët e pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.







