Gjermania synon të prodhojë më shumë armë amerikane në fabrikat e saj
Gjermania synon të zgjerojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në industrinë e mbrojtjes, duke rritur prodhimin e sistemeve amerikane të armëve në fabrikat gjermane. Këtë e bëri të ditur ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një konference për shtyp në Berlin.
Deklarata vjen pak ditë para samitit të NATO-s, që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, ku një nga temat kryesore do të jetë forcimi i kapaciteteve ushtarake të aleancës dhe rritja e prodhimit të industrisë së mbrojtjes.
“Ne e dimë se kapacitetet prodhuese amerikane janë të kufizuara dhe ekziston një nevojë urgjente për t’i zgjeruar ato. Për këtë arsye jemi shumë të interesuar që disa sisteme armësh, ose pjesë të tyre, të prodhohen këtu në Gjermani”, deklaroi Pistorius në praninë e kancelarit Friedrich Merz dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kërkesa për pajisje ushtarake amerikane, veçanërisht për raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, është rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, duke ushtruar presion mbi kapacitetet prodhuese të SHBA-së.
Paralelisht, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane të NATO-s po investojnë në zhvillimin e industrisë së tyre të mbrojtjes, me synimin për të ulur varësinë nga importet amerikane. Megjithatë, Pistorius theksoi se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga teknologjia e SHBA-së, pasi Evropa ende nuk prodhon disa sisteme strategjike për të cilat do të ketë nevojë në vitet e ardhshme.
Nga ana e tij, Mark Rutte përshëndeti angazhimin e Gjermanisë për forcimin e ushtrisë dhe industrisë së mbrojtjes, duke theksuar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të fokusohet në shndërrimin e rritjes së shpenzimeve ushtarake në kapacitete reale luftarake.
Ai paralajmëroi gjithashtu se, edhe nëse lufta në Ukrainë përfundon, Rusia do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike.







