×
Wednesday, July 1, 2026

BE: E ardhmja evropiane e Kosovës është përgjegjësi e të gjithëve

July 1, 2026


Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Kosovës i nevojiten institucione plotësisht funksionale për të përshpejtuar procesin e reformave dhe avancimin në rrugën drejt integrimit evropian.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të shtatë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, i mbajtur në Prishtinë, të martën, ku u shqyrtuan zhvillimet politike, ekonomike dhe zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Takimi u hap nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, ndërsa u bashkëkryesua nga sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Arben Krasniqi, dhe shefi i Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity.

Sipas komunikatës së përbashkët, e cila u lëshua një ditë pas mbajtjes së takimit, thuhet se BE-ja njohu përparimin e Kosovës në disa fusha, por theksoi se institucionet funksionale janë thelbësore për përshpejtimin e reformave.

“BE-ja theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet përpjekje e tërë shoqërisë, e mbështetur nga një konsensus i gjerë dhe i qëndrueshëm publik. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i shtuar ndërmjet partive politike, konsultimi kuptimplotë me shoqërinë civile dhe angazhimi me pushtetin lokal mbeten faktorë të rëndësishëm për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës”, thuhet në të, transmeton KosovaPress.

Po ashtu, gjithnjë sipas kumtesës, Bashkimi Evropian mirëpriti progresin në konkurrueshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse, veçanërisht në politikat sociale dhe të punësimit, transformimin digjital, tatimet, politikat ekonomike dhe monetare, arsimin, kulturën dhe doganat por kërkoi avancim për reforma edhe në fusha tjera.

“Duke njohur përparimet e arritura së fundmi në demokraci dhe sundimin e ligjit, BE-ja theksoi nevojën për të përshpejtuar dhe prioritizuar reformat që janë në pritje, veçanërisht në administratën publike, lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve joshumicë”, thuhet në kumtesën e përbashkët të BE-së dhe qeverisë së Kosovës.

Kjo e fundit, ka theksuar përparimin e arritur dhe rikonfirmoi angazhimin për zbatimin e reformave, përmbushjen e obligimeve nga MSA-ja dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, “për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përparimin në rrugën evropiane”.

BE-ja, sipas kumtesës, konfirmoi përkushtimin e saj për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane ndërsa u rikujtua se ajo mbetet partneri më i madh dhe më i besueshëm i Kosovës, duke theksuar se që nga viti 1999 ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në vend.




Comments are closed.