Valët e të nxehtit kthehen në “epidemi verore” për sistemin shëndetësor në Evropë
Në një spital të rajonit të Parisit, mjekët e urgjencës u detyruan të përdorin banja me ujë të ftohtë për pacientët, për të ulur shpejt temperaturën e trupit, gjatë valës rekord të të nxehtit, shkruan AP.
Por mungesa e një makinerie për prodhimin e akullit, i detyroi të kërkonin zgjidhje të improvizuara. Një restorant “fast-food-i” dhe disa supermarkete u bënë furnizues të përkohshëm.
Spitali tashmë ka porositur pajisje të posaçme për të ardhmen. Autoritetet shëndetësore thonë se kjo nuk është më një krizë e rastit, por një realitet i ri i përsëritur, për shkak të ndryshimeve klimatike.
“Ne menduam se ishim të përgatitur. Nuk ishim”, tha drejtori i spitalit, Cédric Lussiez, duke e përshkruar javën “të tmerrshme”, pasi spitali punoi pa ndërprerje.
Shteti francez po reagon me masa emergjente, duke njoftuar investime prej 100 milionë eurosh për sistemet e ftohjes në spitale dhe blerjen e 30,000 pajisje të kondicionimit të ajrit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se, valët e të nxehtit po bëhen “dukuri të zakonshme” në Evropë, e cila po ngrohet më shpejt se mesatarja globale.
Në spitale, rastet e urgjencës u rritën ndjeshëm, infarkte, dehidratim, dështim i veshkave dhe goditje nga nxehtësia në të gjitha moshat.
Një pacient 50-vjeçar mbërriti në koma me temperaturë trupore rreth 40°C. Mjekët thonë se nxehtësia është një sulm fizik mbi trupin, ndërsa theksojnë se pacientët shpesh përkeqësohen papritur dhe pa paralajmërim.
Spitalet më të vjetra nuk ishin të përgatitura për të përballuar të nxehtin, sepse nuk kishin kondicionerë, u detyruan të përdornin ventilatorë dhe akull për ftohje dhe ruajtjen e barnave, ndërsa stafi ishte i mbingarkuar nga puna. Në disa reparte temperaturat arritën deri në 33°C.
Autoritetet po përshpejtojnë masat për përmirësimet infrastrukturore, duke krijuar dhoma ftohjeje dhe duke zhvendosur disa shërbime në ambiente më moderne.
“Javën e ardhshme do të jemi më mirë të përgatitur se javën e kaluar”, thanë drejtuesit e spitalit.






