BQK fut për herë të parë arin në rezervat zyrtare të Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se ka shënuar një moment historik në menaxhimin e rezervave zyrtare, duke përfshirë për herë të parë arin në portofolin e aseteve të saj rezervë.
Sipas BQK-së, ky hap përfaqëson fillimin e një procesi afatgjatë të alokimit strategjik të rezervave, me synim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar në Kosova.
Institucioni thekson se përfshirja e arit vjen si pjesë e një qasjeje më të gjerë të modernizimit institucional, e mbështetur në qeverisje të mirë, menaxhim të kujdesshëm financiar dhe politika të konsoliduara të administrimit të aseteve.
BQK vlerëson se ari, si instrument tradicional i bankave qendrore, shërben për ruajtjen e vlerës afatgjatë dhe diversifikimin e rezervave, duke ulur rreziqet në portofolin financiar dhe duke rritur qëndrueshmërinë ekonomike.
Në njoftim thuhet se ky zhvillim është rezultat i një procesi reformash të viteve të fundit, që kanë përfshirë forcimin e kornizës së menaxhimit të rrezikut dhe përmirësimin e praktikave investuese, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
BQK ka theksuar gjithashtu rolin e programit të partneritetit për menaxhimin e rezervave (RAMP), i cili ka ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe politikave investuese.
Sipas bankës, janë zgjeruar edhe marrëdhëniet me banka qendrore dhe institucione financiare ndërkombëtare, si dhe është rritur bashkëpunimi me platforma globale për kujdestarinë dhe menaxhimin e aseteve, duke e përafruar Kosovën me standardet bashkëkohore të bankave qendrore.







