×
Sunday, July 12, 2026

SHBA i përgjigjet Iranit: Ngushtica e Hormuzit nuk është nën kontrollin tuaj

July 12, 2026


Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të autoriteteve iraniane për Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se kjo rrugë ujore ndërkombëtare nuk është nën kontrollin e Teheranit dhe mbetet e hapur për të gjitha anijet që respektojnë të drejtën ndërkombëtare.

Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM hodhi poshtë pretendimet e Iranit mbi kontrollin e ngushticës, duke nënvizuar se liria e lundrimit do të garantohet nga forcat amerikane.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet që dëshirojnë të kalojnë në mënyrë të ligjshme. Forcat amerikane janë të vendosura dhe të gatshme për të garantuar lirinë e lundrimit, pavarësisht agresionit, ngacmimeve, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare e të pajustifikuara të Iranit”, thuhet në reagimin e Komandës Qendrore të SHBA-së.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Gjirin Persik, pas përshkallëzimit të fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit lidhur me sigurinë e trafikut detar në Hormuz.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret detare më strategjike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror. Për këtë arsye, çdo kërcënim ndaj lirisë së lundrimit në këtë zonë monitorohet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të ndikimit të mundshëm në tregjet globale të energjisë dhe sigurinë rajonale.




Comments are closed.