×
Sunday, July 12, 2026

Rama më 14 korrik në Bruksel për mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me BE-në

July 12, 2026


Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin zyrtar shqiptar në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila do të zhvillohet më 14 korrik në Bruksel, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Konferenca do të nisë rreth orës 19:00 në Këshillin e Bashkimit Evropian. Gjatë saj, kryeministri Rama do t’u drejtohet përfaqësuesve të vendeve anëtare, së bashku me ministrin e Jashtëm të Irlandës dhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Në këtë konferencë pritet të mbyllen tre kapitujt e parë të negociatave: Kapitulli 25 – Kërkimi shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë. Në përfundim të takimit është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp rreth orës 20:00.

Mbyllja e këtyre kapitujve realizohet gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila do të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti, dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Më herët, kryeministri Rama është shprehur se kalendari i negociatave është dakordësuar me institucionet e Bashkimit Evropian dhe se objektivi mbetet përfundimi i procesit të negociatave deri në vitin 2027, në mënyrë që më pas vendet anëtare të ratifikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në parlamentet e tyre.

Përpara vizitës në Bruksel, më 13 korrik, Rama do të ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të marrë pjesë në një darkë pune kushtuar mbështetjes për Ukrainën, ndërsa në mëngjesin e 14 korrikut do të jetë i pranishëm në Paradën Ushtarake me rastin e Festës Kombëtare të Francës.




Comments are closed.