×
Sunday, July 12, 2026

Rama: Po dëgjojmë protestuesit paqësorë, nuk kam sulmuar qytetarët

July 12, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po ndjek me vëmendje shqetësimet e qytetarëve që kanë protestuar në mënyrë paqësore, duke theksuar se nuk ka sulmuar protestuesit, por ka bërë dallimin mes tyre dhe atyre që, sipas tij, nxisin urrejtje.

Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Rama reagoi ndaj kritikave se po sulmon protestën, duke u shprehur se disa “tufa sorrash dhe laraskash” po përpiqen të deformojnë mesazhin e tij.

“Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash se po më akuzojnë mua se po sulmoj popullin që paska dalë në shesh, se po shaj rininë që qenka zgjuar e me radhë. Absolutisht jo. Unë e kam bërë dallimin e ditës së flamingos me natën e korbit dhe sorrës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se respekton qytetarët që protestojnë për të kërkuar një mjedis më të mbrojtur dhe një shtet më të drejtë, duke shtuar se kërkesat e tyre po analizohen nga qeveria.

“Nuk kam paragjykuar ata qytetarë që dolën të protestojnë paqësisht, se duan një mjedis më të mbrojtur. Nuk mund t’i paragjykoj njerëzit që duan shtet më të drejtë në tërësinë e vet. Shoqëria kërkon gjithmonë e më shumë. Po dëgjojmë me shumë vëmendje, një grup i mbledhur enkas po mban çdo shënim. Hap pas hapi, do t’i komunikojmë me njerëz të zakonshëm e të ndershëm të këtij vendi”, deklaroi Rama.




Comments are closed.