×
Thursday, May 28, 2026

SHBA dhe Irani drejt një memorandumi 60-ditor për armëpushim, pritet vendimi përfundimtar i Trump

May 28, 2026


Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një dakordësi paraprake për një memorandum mirëkuptimi 60-ditor, i cili synon zgjatjen e armëpushimit dhe hapjen e negociatave mbi programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar ende, pasi presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë miratimin përfundimtar.

Sipas burimeve zyrtare amerikane dhe një burimi të përfshirë në ndërmjetësim, të cituara nga “Axios”, kushtet e marrëveshjes u dakordësuan kryesisht gjatë së martës, ndërsa të dyja palët pritej të merrnin aprovimin nga nivelet më të larta politike. Më vonë, pala iraniane raportohet të ketë njoftuar se kishte siguruar miratimet e nevojshme dhe ishte e gatshme për nënshkrim, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Teherani.

Negociatorët amerikanë kanë informuar presidentin Trump mbi detajet e marrëveshjes, por ai ka kërkuar kohë shtesë për shqyrtim. “Presidenti u tha ndërmjetësve se dëshiron disa ditë për ta shqyrtuar”, bëri të ditur një zyrtar amerikan.

Memorandumi i propozuar konsiderohet si një hap i rëndësishëm diplomatik, më i rëndësishmi që nga nisja e konfliktit, megjithëse një marrëveshje përfundimtare mbi çështjet bërthamore pritet të kërkojë negociata të mëtejshme intensive.

Sipas detajeve të bëra publike, marrëveshja parashikon që lundrimi në Ngushticën e Hormuzit të jetë i lirë dhe pa pengesa, duke përfshirë heqjen e tarifave dhe ndalimin e ndërhyrjeve. Irani do të angazhohet gjithashtu të largojë të gjitha minat detare nga kjo zonë brenda 30 ditëve.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara pritet të heqin gradualisht bllokadën detare, në përpjesëtim me rikthimin e transportit tregtar detar. Memorandumi përfshin edhe një zotim nga Irani për të mos zhvilluar armë bërthamore, si dhe nisjen e negociatave për çështje kyçe si eliminimi i uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe kufizimi i mëtejshëm i programit të pasurimit.

Gjithashtu, SHBA-të do të angazhohen në diskutime për lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira, si pjesë e procesit negociues. Një komponent tjetër i marrëveshjes lidhet me krijimin e një mekanizmi që do të lejojë Iranin të përfitojë nga ndihmat humanitare dhe furnizimet bazë.

Kjo është një tjetër përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, pas disa tentativave të mëparshme gjatë konfliktit që nuk u konkretizuan.




Comments are closed.