×
Thursday, May 28, 2026

Gogu: Siguria në burgje kërkon standarde më të larta dhe kontroll më të fortë

May 28, 2026


Ministri i Drejtësisë ka theksuar rëndësinë e forcimit të standardeve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, gjatë prezantimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale,.

Gjatë fjalës së tij, Gogu nënvizoi se sistemi i ekzekutimit të vendimeve penale kërkon profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi në çdo hallkë të tij.

Ai theksoi nevojën për një balancë më të qartë mes pavarësisë institucionale dhe përgjegjshmërisë, si dhe për rritjen e kapaciteteve hetimore, monitoruese dhe parandaluese në funksion të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

“Sot, në prezantimin e Drejtorit të Përgjithshëm të AMEVP, theksuam nevojën për drejtpeshim: më shumë pavarësi, por edhe më shumë përgjegjshmëri; më shumë kapacitete hetimore, monitorimi dhe parandalimi në funksion të sigurisë dhe sundimit të ligjit”, u shpreh ministri.

Sipas Gogut, përmirësimi i standardeve në këtë fushë është i lidhur ngushtë me procesin e reformës në drejtësi dhe integrimin europian të Shqipërisë.

“Në fazën ku ndodhet sot reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit europian, standardet në sistemin e vuajtjes së dënimit janë pjesë e standardeve të shtetit europian që po ndërtojmë çdo ditë”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se forcimi i këtij sistemi mbetet një element kyç për garantimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e detyrimeve në rrugën drejt Bashkimit Europian.




Comments are closed.