Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) ka zgjeruar gamën e analizave të akredituara me 354 teste të reja laboratorike, duke e çuar në 2,299 numrin total të testeve të akredituara sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, i cili njoftoi se procesi i zgjerimit të akreditimit është përmbyllur me sukses pas vlerësimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.
Sipas ministrit, procesi është përfunduar pa asnjë jokonformitet, ndërsa zgjerimi i gamës së analizave synon të rrisë më tej kapacitetet laboratorike në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinare.
Testet e reja përfshijnë disa fusha të rëndësishme, mes tyre shëndetin e kafshëve, mbetjet e medikamenteve veterinare në produktet me origjinë shtazore, mikrobiologjinë ushqimore dhe vlerësimin e cilësisë së ushqimeve.
“Më shumë kontroll e garanci në çdo hallkë, nga ferma në tryezë”, shkruan Salla, duke e konsideruar zgjerimin e kapaciteteve laboratorike një tjetër hap drejt forcimit të sistemit të kontrollit të sigurisë ushqimore në vend.
Ministri e lidh këtë zhvillim edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se rritja e kapaciteteve të ISUV përbën një hap konkret drejt standardeve europiane dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me Kapitullin 12.
Ky kapitull i negociatave me Bashkimin Europian përfshin sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, fusha ku kapacitetet laboratorike dhe besueshmëria e rezultateve të analizave kanë një rol të rëndësishëm.
Me zgjerimin e fundit, ISUV arrin në 2,299 teste të akredituara, duke rritur gamën e kontrolleve laboratorike që mund të realizohen sipas standardit ISO/IEC 17025:2017.


