Salla: Agropërpunimi po rrit eksportet e produkteve shqiptare

31 Jul 2026 13:32
Shpërndaje:

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vlerësoi një sipërmarrje të agropërpunimit në Kavajë si një model të suksesshëm bashkëpunimi mes industrisë përpunuese dhe fermerëve, që ka ndikuar në rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Salla theksoi se sipërmarrja, e cila prej më shumë se dy dekadash përpunon prodhimin vendas, ka zgjeruar kapacitetet falë investimeve në teknologji, mbështetjes nga programet qeveritare dhe bashkëpunimit me fermerët.

“Falë investimeve në teknologji, mbështetjes nga programet e qeverisë dhe bashkëpunimit me fermerë si Xhuljan Doda, kjo sipërmarrje ka rritur kapacitetet përpunuese dhe sot eksporton produktet shqiptare në dhjetëra tregje ndërkombëtare”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Fermeri Xhuljan Doda bëri të ditur se kultivon domate në një sipërfaqe prej 20 hektarësh dhe se këtë sezon pret të prodhojë rreth 800 tonë, të cilat shërbejnë si lëndë e parë për industrinë e përpunimit të salcës.

Sipas tij, bashkëpunimi gjashtëvjeçar me kompaninë përpunuese ka garantuar treg për prodhimin e fermerëve dhe ka kontribuar në zgjerimin e eksporteve.

Reklamë InterMedika

“Prej gjashtë vitesh bashkëpunojmë me kompaninë përpunuese. Produktet si salcat, turshitë dhe reçelrat eksportohen në 37 vende të botës, sipas standardeve më të mira”, tha Doda.

Ministri Salla nënvizoi se mbështetja e sektorit të agropërpunimit mbetet një prioritet i qeverisë, pasi e konsideroi atë një hallkë të rëndësishme për rritjen e vlerës së shtuar të prodhimit bujqësor, zgjerimin e eksporteve dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve shqiptarë.