×
Monday, July 27, 2026

Sala: Nis krijimi i Institutit Onkologjik Kombëtar, spitalet publike kalojnë plotësisht online nga 1 gushti

June 15, 2026


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi prioritetet kryesore të reformave në sistemin shëndetësor gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja njoftoi nisjen e konsultimeve për Vendimin e Këshillit të Ministrave që parashikon krijimin e Institutit Onkologjik Kombëtar, një nga projektet më të rëndësishme në fushën e kujdesit ndaj pacientëve me sëmundje tumorale.

Sipas Salës, Instituti Onkologjik Kombëtar do të funksionojë si strukturë universitare, qendër kërkimore-shkencore dhe institucion referues në nivel kombëtar për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke koordinuar gjithashtu Rrjetin Kombëtar të Onkologjisë.

“Krijimi i tij përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi modern, të integruar dhe të standardizuar të kujdesit onkologjik në vend”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur se paralelisht po ndërtohet edhe Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë, me synimin për të garantuar akses të barabartë dhe kujdes të koordinuar për pacientët në të gjithë vendin.

Në kuadër të reformës, ministrja prezantoi edhe risitë e Listës së Barnave të Rimbursueshme 2026, e cila përfshin 55 barna alternative tregtare të reja dhe 27 principe aktive të reja për trajtimin e sëmundjeve tumorale, hematologjike, diabetit, sklerozës multiple, patologjive kardiovaskulare dhe respiratore.

Sala theksoi se për vitin 2026 do të akordohen 1.5 miliardë lekë shtesë për barna onkologjike inovative, duke rritur me 16% buxhetin total të barnave krahasuar me vitin 2025.

Ministrja nënvizoi gjithashtu investimet në kapacitetet diagnostikuese dhe trajtuese, duke bërë të ditur se tashmë është vënë në funksion Akseleratori i tretë Linear, ndërsa brenda vitit pritet të instalohet edhe Akseleratori i katërt Linear.

Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pritet të ofrohen brenda vitit edhe shërbimet e PET Scanner dhe Brakiterapisë.

Një tjetër reformë madhore, sipas Salës, është projektligji i ri “Për produktet mjekësore për përdorim në njerëz”, i cili synon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2001/83 të Bashkimit Europian.

Projektligji parashikon krijimin e një sistemi rregullator modern dhe transparent, forcimin e farmakovigjilencës dhe rritjen e kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Gjatë takimit, ministrja bëri të ditur edhe një nga ndryshimet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor, duke njoftuar se nga 1 gushti spitalet publike në vend do të funksionojnë plotësisht në mënyrë elektronike.

Sipas saj, digjitalizimi do të mundësojë komunikimin e integruar mes platformave shëndetësore, duke përmirësuar referimet, shkëmbimin e informacionit, koordinimin e kujdesit dhe monitorimin e politikave shëndetësore.

Në përfundim, Sala vlerësoi bashkëpunimin me komunitetin e biznesit dhe industrinë farmaceutike, duke theksuar se dialogu me partnerët mbetet thelbësor për ndërtimin e një sistemi shëndetësor modern dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.




Comments are closed.