Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit të rëndë të ndodhur në Berlin, ku një person humbi jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë dhe duke dënuar çdo formë dhune dhe ekstremizmi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ishte thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike dhe përcolli ngushëllimet për familjen e viktimës, ndërsa u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shpreh solidaritetin tonë më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman”, shkroi ai.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të ketë asnjë tolerancë ndaj urrejtjes, dhunës apo ekstremizmit në çfarëdo forme që ato shfaqen.
“Sulme të tilla kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim”, u shpreh Rama.
Në përfundim të mesazhit të tij, kryeministri theksoi se Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë në këto momente të vështira.