×
Saturday, May 9, 2026

Sala nga Vora: Modeli i vullnetarizmit do të zgjerohet në gjithë Shqipërinë

May 9, 2026


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë një inspektimi në Qendra Multifunksionale Vorë, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në kuadër të aktivitetit “Rini në lëvizje – fuqia për të ndikuar”.

Në këtë qendër, 25 të rinj janë aktivë në programe sociale, duke kontribuar përmes vullnetarizmit në mbështetje të komunitetit lokal.

Ministrja Sala vlerësoi bashkëpunimin mes qeverisë, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për krijimin e hapësirave të tilla, që ofrojnë shërbime të integruara sociale përmes mekanizmit të Fondit Social.

“Është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, pushtetit lokal dhe sigurisht institucioneve ndërkombëtare që na ndihmojnë vazhdimisht nëpërmjet mekanizmit të Fondit Social. Është një fakt që nëpërmjet vullnetarizmit siç e shohim këtu, por edhe këtij bashkëpunimi shumë të fortë, kanë marrë ndihmë rreth 47 mijë persona dhe janë ofruar 98 shërbime”, tha ajo.

Duke theksuar rëndësinë e angazhimit vullnetar, ministrja nënvizoi se ky model duhet të zgjerohet në të gjithë Shqipëria.

“Këtë model duhet ta zgjerojmë më tej nëpër të gjithë Shqipërinë. Ndihma që jepni njerëzve që kanë nevojë është një ndihmë sublime, e pazëvendësueshme. Unë flas dhe nga ana e profesionit, duke qenë se jam mjeke dhe jam më tepër e lidhur me humanizmin ndaj pacientët. Por kjo gjë që po bëni është shumë e bukur. Vazhdoni ta bëni sepse shoqëria ka nevojë, Shqipëria ka nevojë për këtë energji, për këtë kreativitet, por edhe për këtë qasje pozitive ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj shoqërisë shqiptare”, u shpreh Sala.

Aktiviteti është realizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë, bashkisë Vorë, organizatave të shoqërisë civile dhe Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën, si pjesë e programit EU4SocialCare, që synon fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e vullnetarizmit.

Qendra Multifunksionale në Vorë përfaqëson një model inovativ të kujdesit social, duke ofruar mbështetje psikosociale, edukative dhe zhvillimore për komunitetin, ku aktualisht përfitojnë rreth 220 fëmijë, 125 të rinj dhe 78 prindër.




Comments are closed.