×
Wednesday, May 13, 2026

Rama: Nis programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” për bizneset e vogla

May 13, 2026


Qeveria shqiptare, së bashku me sistemin bankar dhe sipërmarrjet, kanë nënshkruar një partneritet të ri për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Në aktivitet, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes bankave të nivelit të dytë dhe Bankës Europiane të Investimeve për të zgjeruar aksesin në financim për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si “motori i ekonomisë shqiptare”.

Sipas tij, programi synon të mbështesë sipërmarrjet me potencial zhvillimi, por që deri tani janë përballur me vështirësi në sigurimin e kredive të përballueshme.

Rama tha se projekti është zgjeruar nga bujqësia në një program më të gjerë kombëtar për bizneset e vogla dhe të mesme, duke e cilësuar si një “derë për të dyfishuar sipërmarrjen”.

Ai u shpreh:

“Bankat e nivelit të dytë duhet të bashkëpunojnë me Bankën Europiane të Investimeve… pasi është një marrëveshje që shkon drejtpërdrejt në të njëjtin shtrat me marrëveshjen e sotme për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme… Kam parë një sërë ndërmarrjesh të vogla… me eksperiencën e shqiptarëve të kthyer nga emigracioni… kanë qenë eksperienca të jashtëzakonshme… Problemi i tyre ka qenë financimi i aksesueshëm… dhe kështu ka lindur edhe ky projekt… Kjo është një derë për të dyfishuar ndërmarrjen tuaj”, u shpreh Rama.

Në kuadër të programit, bizneset e vogla dhe të mesme do të kenë akses në kredi me interes të ulët nga 2% deri në 3%, të mbështetura nga një garanci sovrane e qeverisë që mbulon 30% deri në 70% të riskut.

Gjithashtu, do të krijohet një fond garancie për hartimin e planeve të biznesit, me qëllim lehtësimin e aksesit në financim dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes bankave dhe sipërmarrjeve.

Rama theksoi gjithashtu se kredia në vend është dyfishuar në pesë vitet e fundit, nga rreth 5 miliardë euro në 10 miliardë euro, ndërsa kreditë e këqija janë ulur ndjeshëm, duke sinjalizuar sipas tij një ekonomi më të shëndetshme dhe me potencial rritjeje.




Comments are closed.