Rutte: Kërcënimi rus është afatgjatë

11 Sep 2026 08:36
Shpërndaje:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se kërcënimi i Rusisë ndaj Evropës nuk është i përkohshëm, ndaj vendet aleate duhet të vijojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, prodhimit ushtarak dhe ndihmës për Ukrainën.

Gjatë një konference të drejtuesve të misioneve diplomatike gjermane në Berlin, Rutte vlerësoi rolin e Gjermanisë në forcimin e kapaciteteve të NATO-s, duke e cilësuar vendin si një prej shtyllave kryesore të sigurisë evropiane.

Ai theksoi rëndësinë e vendimit të Berlinit për të rritur investimet në mbrojtjen bazë në nivelin e 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029.

Reklamë Ola

Sipas Rutte, rritja e prodhimit të predhave të artilerisë, automjeteve të blinduara dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore nga industria gjermane po forcon aftësitë mbrojtëse të të gjithë Aleancës.

Ai përmendi gjithashtu dislokimin e trupave gjermane në Lituani dhe Poloni, si dhe dërgimin e anijeve dhe avionëve në rajonin e Baltikut, duke i cilësuar këto masa si dëshmi të solidaritetit mes aleatëve.

Reklamë InterMedika

Rutte vlerësoi edhe ndihmën ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe tanket e rënda.

Sipas kreut të NATO-s, Rusia po përgatitet për një përballje afatgjatë dhe ka orientuar një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë dhe industrisë së saj drejt luftës.

“Rusia po investon më shumë se 10 për qind të të ardhurave të saj kombëtare në mbrojtje dhe po shpenzon pothuajse 50 për qind të buxhetit shtetëror për këtë sektor”, deklaroi ai.

Rutte shtoi se Moska po rrit prodhimin ushtarak dhe po rimbush rezervat, çka tregon se rreziku për Evropën do të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme.

“Ne mund ta mbrojmë veten sot dhe nesër, por nëse nuk do t’i kishim bërë ndryshimet e ndërmarra gjatë viteve të fundit, do të përballeshim me rrezik në vitet 2029, 2030 dhe 2031”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje vendeve evropiane të mos tregohen naive ndaj Moskës dhe të vazhdojnë investimet në kapacitetet mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën.