“Rezultati do të mbetet në historinë e Shqipërisë”, Rama, mesazh socialistëve: Kokën lart, këtu nuk ka humbës, por vetëm fitues
Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës dhe mbylljes zyrtare të procesit zgjedhor, kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh falënderues në grupet e strukturave socialiste, duke falënderuar të gjithë kandidatët e mazhorancës.
Rama e cilëson këtë betejë politike si një eksperiencë të paharrueshme dhe falënderon të gjithë anëtarët e PS-së për angazhimin e tyre.
“Rezultati i përbashkët do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë, si një sukses krejt i veçantë”, shkruan ai.
Kryeministri përgëzon veçanërisht ata që dhanë gjithçka në terren, duke e quajtur kontributin e tyre një forcë të shtuar për Partinë Socialiste në çdo cep të vendit. Ai uron me zemër të gjithë ata që kanë fituar mandate në legjislaturën e re, ndërsa për kandidatët që nuk arritën të sigurojnë një vend në Kuvend, Rama shpreh mirënjohjen për përkushtimin e tyre dhe nënvizon se kontributi i tyre mbetet thelbësor për sfidat që vijnë.
“Duhet të jenë jo vetëm krenarë për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e PS-së, por edhe të bindur se kontributi i tyre do të jetë i nevojshëm në rrugën e integrimit europian”, thekson ai.
Në fund, Rama jep mesazhin se në këtë proces nuk ka të humbur: “Këtu nuk ka humbës, por vetëm fitues!” Ai uron që çdo anëtar i PS-së të gjejë pak kohë për të pushuar pranë familjes, duke e mbyllur me premtimin për një mbledhje të përbashkët në të ardhmen, “jo për një festë të madhe, por për shijen e një gëzimi të merituar familjar”.







