Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga ndryshimet e parashikuara në paketën e re të Kodit të Procedurës Penale, duke vënë theksin te mbrojtja e privatësisë, forcimi i të drejtave të personave nën hetim dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë.
Sipas Ramës, një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me kontrollin e pajisjeve elektronike. Ai tha se sekuestrimi i një telefoni apo pajisjeje tjetër nuk do të nënkuptojë automatikisht të drejtën për të kontrolluar të gjithë përmbajtjen e saj.
“Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar gjithçka. Për ta hapur duhet vendim i gjykatës”, deklaroi kryeministri.
Në rastet urgjente të përcaktuara nga ligji, veprimi mund të kryhet paraprakisht, por më pas duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës.
Rama shtoi se çdo material i marrë nga pajisjet elektronike që nuk ka lidhje me objektin e hetimit duhet të asgjësohet. E njëjta logjikë, sipas tij, do të zbatohet edhe për përgjimet, ku duhet të përdoren vetëm të dhënat dhe komunikimet që lidhen drejtpërdrejt me çështjen nën hetim.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që marrja në pyetje dhe veprimet kryesore procedurale të regjistrohen me zë dhe figurë.
“Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar”, tha Rama, duke shtuar se deklarimet e marra nën presion apo dhunë nuk duhet të kenë vlerë.
Kryeministri u ndal edhe te hetimet e fshehta, duke theksuar se një person duhet të ketë të drejtën të informohet se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe se hetimet e fshehta nuk duhet të kthehen në një praktikë rutinë.
Një tjetër ndryshim lidhet me filtrimin e çështjeve që shkojnë në gjykatë. Sipas Ramës, prokurori duhet të vlerësojë si provat e akuzës, ashtu edhe ato në favor të mbrojtjes, ndërsa në gjykim duhet të kalojnë çështje që kanë një perspektivë reale.
Rama e lidhi paketën edhe me forcimin e prezumimit të pafajësisë jashtë sallës së gjyqit.
“Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, deklaroi ai.
Paketa e re është pjesë e projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që qeveria po e paraqet si një ndërhyrje për forcimin e garancive procedurale dhe ekuilibrimin e pushtetit të organeve të drejtësisë me të drejtat e individit.
Rama: Telefonat nuk hapen pa vendim gjykate, fund “gjyqit në pazar”


