Gogu prezanton ndryshimet në Kodin Penal: Masa më të forta për të drejtat e qytetarëve

30 Sep 2026 • 13:06
Shpërndaje:

Ministria e Drejtësisë ka prezantuar paketën e projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, me fokus forcimin e garancive procedurale, përdorimin proporcional të masave të sigurimit dhe mbrojtjen e të drejtave të personave që përballen me drejtësinë.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u ndal te situata e paraburgimeve, duke deklaruar se aktualisht 2,353 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa një pjesë e tyre janë ende në pritje të një vendimi përfundimtar.

“Ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”, deklaroi Gogu.

Reklamë Ola

Sipas ministrit, projektndryshimet synojnë t’u japin gjykatave kritere më të qarta për të përcaktuar në çdo rast masën e sigurimit që konsiderohet e nevojshme dhe proporcionale. Gogu kishte paralajmëruar më herët se paketa do të fokusohej pikërisht te masat e sigurimit, të drejtat e palëve, administrimi i provave dhe prezumimi i pafajësisë.

Një tjetër ndryshim lidhet me rolin e prokurorit gjatë hetimit. Sipas propozimit, organi i akuzës do të ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat që janë në favor të të pandehurit.

Reklamë InterMedika

“Hetimi do të ketë një fillim formal sipas propozimeve. Kush thirret si dëshmitar, ndërkohë që trajtohet si i dyshuar, duhet ta gëzojë mbrojtjen që i takon të dyshuarit”, tha Gogu.

Paketa prek edhe aksesin në të dhënat personale përmes pajisjeve elektronike. Sipas ministrit, sekuestrimi i një telefoni nuk do të nënkuptojë automatikisht akses të pakufizuar në të gjitha të dhënat e tij.

“Sekuestrimi i një telefoni personal nuk do t’i japë më të drejtën për qasje të pakufizuar në të dhënat vetjake, por vetëm në pjesën që miraton gjykata”, u shpreh ai.

Ndryshime parashikohen edhe për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, duke i dhënë gjykatës mundësinë të largojë nga banesa personin e dyshuar për ushtrim dhune.

Një tjetër pikë lidhet me garancinë pasurore, e cila do të përcaktohet duke marrë parasysh edhe gjendjen financiare të personit. “Liria të mos mbetet privilegj i atij që paguan dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para”, deklaroi ministri.

Gogu njoftoi gjithashtu se qeveria ka ndarë fondet për monitorimin elektronik dhe synon ta vërë këtë mekanizëm në funksion brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

Ministri bëri të ditur se Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do t’u propozohet hartimi i një strategjie të përbashkët për paraburgimin, me fokus cilësinë e arsyetimit të vendimeve, shqyrtimin në kohë të çështjeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën e të dhënave.