Pentagoni nuk ka bërë publike disa sulme të kryera nga Irani ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme dhe dëmet e shkaktuara prej tyre, raportoi The New York Times, ndërsa ushtria amerikane konfirmoi se rreth 100 ushtarë janë plagosur gjatë javëve të fundit të konfliktit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për gazetën, në javën para sulmit iranian të së premtes në Jordani, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një tjetër rezulton i zhdukur, Irani kishte ndërmarrë edhe tre sulme të tjera ndaj bazave amerikane në rajon.
Këto sulme, sipas raportimit, shkaktuan plagosjen e dhjetëra ushtarëve amerikanë dhe dëmtuan disa helikopterë ushtarakë.
Megjithatë, Pentagoni nuk publikoi asnjë informacion zyrtar për këto sulme, për numrin e të plagosurve apo për dëmet materiale. Sipas The New York Times, rasti pasqyron përplasjen mes nevojës së ushtrisë për të ruajtur sigurinë operacionale dhe detyrimit të qeverisë për të informuar publikun gjatë një konflikti ushtarak.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) argumentoi se nuk ka detyrim të bëjë publike të dhënat për ushtarët e plagosur, veçanërisht kur ata rikthehen shpejt në detyrë.
Një zyrtar ushtarak tha se publikimi i detajeve mund t’i jepte Iranit informacion të vlefshëm për të përmirësuar objektivat e sulmeve me raketa balistike dhe dronë ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, hodhi poshtë pretendimet se ushtria amerikane po fsheh informacion mbi dëmtimet e trupave.
Sipas tij, shumica dërrmuese e ushtarëve të plagosur kanë pësuar vetëm “lëndime të lehta në kokë” dhe rreth 96% e tyre janë rikthyer tashmë në detyrë.
Komanda Qendrore bëri të ditur se që nga fillimi i konfliktit me Iranin janë plagosur më shumë se 400 ushtarakë amerikanë, ndërsa Pentagoni ka publikuar periodikisht të dhëna për numrin e atyre që janë rikthyer në shërbim.
Ndërkohë, me vdekjen e dy ushtarëve amerikanë në Jordani dhe një ushtaraku tjetër në Irakun verior, numri i përgjithshëm i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga nisja e operacioneve ushtarake kundër Iranit, më 28 shkurt, ka arritur në 17.