×
Tuesday, July 21, 2026

Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës: Shqipëria, model i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare

July 20, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.

Gjatë takimit, kreu i shtetit vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare në Evropë.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbetet një shembull i harmonisë fetare, bashkëjetesës dhe mikpritjes.

“Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit u ndal edhe te periudha e diktaturës komuniste, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për të zhdukur fenë, besimi i shqiptarëve nuk u shua.

“Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”, deklaroi Presidenti Begaj.

Ai vlerësoi gjithashtu respektin që shqiptarët kanë për besimin e njëri-tjetrit, duke e cilësuar atë një nga shtyllat kryesore të shoqërisë shqiptare.

Presidenti shprehu mirënjohjen edhe për rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare.

Në përfundim të takimit, Begaj nënvizoi se në një kohë kur bota përballet me konflikte, polarizim dhe sfida të shumta, dialogu ndërfetar mbetet një instrument i domosdoshëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes.

Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në promovimin e modelit unik të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.




Comments are closed.