Rama: Rreth 9 milionë turistë deri në tetor, rriten të ardhurat në ekonomi



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga janari deri në tetor Shqipërinë e kanë vizituar rreth 9 milionë turistë.
Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Fier, Rama u ndal te rritja e numrit të turistëve dhe ndikimin që sjell kjo në ekonominë e vendit.
“Sot mora të dhënat e tetorit për turizmin. Jemi në tetor dhe krahasimisht me tetorin e vitit të shkuar numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri është rritur mbi 80%. Tetorin e shkuar Shqipërinë e vizituan 365 mijë turistë, ndërsa gjatë tetorit 2023 vendin e vizituan 691 mijë turistë”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri informoi se nga janari në tetor Shqipëria ka prekur pothuajse numrin e 9 milionë turistëve.
“Për të qenë të saktë janë 8.92 milionë turistë, por gjithsesi është një shifër e paimagjinueshme disa vite më parë. Kur flasim për rritjen e numrit të turistëve ka disa që mendojnë se kjo nuk ka lidhje me jetën e tyre të përditshme. Sot turizmi po kthehet në industri dhe është eksporti më i madh, sepse nuk është se ata turistë që vijnë rrinë në ajër. Ata që vijnë do të thotë njëkohësisht që rrisin në mënyrë eksponenciale konsumin, rrisin në mënyrë eksponenciale kërkesën për shërbime e prodhime, dhe patjetër rrisin në mënyrë shumë të ndjeshme të ardhurat në ekonomi”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se rritja eksponenciale e turizmit do të vazhdojë vit pas viti.
“Kjo është pamja më e prekshme e asaj që kemi bërë për Shqipërinë dhe asaj që i ka ndodhur Shqipërisë falë punës sonë të përbashkët. Shqipëria sot është një vend tjetër në sytë e atyre që deri dje nuk e imagjinonin ta shikonin si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike. Kjo nuk lidhet thjesht me bukuritë e Shqipërisë por puna jonë ka bërë që ato të vihen në punë si burime të ardhurash për familjet tona”, shtoi Rama.

