Turqia ka propozuar diplomatin Feridun Sinirlioglu, sekretar i përgjithshëm i OSBE-së, si kandidat për të pasuar António Guterres në krye të Kombeve të Bashkuara.
Sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, Ankaraja e paraqet kandidaturën si një mundësi kompromisi, pas muajsh ngërçi në procesin e përzgjedhjes. Kërkesa zyrtare u dorëzua në selinë e OKB-së në Nju Jork nga ambasadori turk në organizatë.
Sinirlioglu përfaqësoi Turqinë në OKB nga viti 2016 deri në vitin 2023. Në fund të vitit 2024, ai u zgjodh njëzëri sekretar i përgjithshëm i OSBE-së.
Mandati i Guterres përfundon në fund të këtij viti. Përzgjedhja e pasuesit po diskutohet në Këshillin e Sigurimit, ku pesë anëtarët e përhershëm — SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe — kanë të drejtën e vetos.
Shumë vende kanë mbështetur zgjedhjen për herë të parë të një gruaje në këtë post, ndërsa të tjera kërkojnë një kandidat nga Amerika Latine ose Karaibet. Sinirlioglu nuk përputhet me këto preferenca, të cilat nuk përbëjnë kushte formale kandidimi.
Kandidatura mbështetet nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, i cili ka kërkuar reformimin e OKB-së dhe kufizimin e ndikimit të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.


