Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një skemë mbështetjeje për studentët që kanë vështirësi të përballojnë qiratë në Tiranë. Sipas tij, qeveria do të mbulojë gjysmën e pagesës për ata që plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, Rama tha se është përgatitur drafti që parashikon ndërhyrjen, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të strehimit.
“Qeveria do të ndërhyjë për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që plotësojnë kushtet”, deklaroi ai.
Në deklaratën e cituar nuk u sqaruan kriteret e përfitimit, afati i nisjes së skemës apo procedurat e aplikimit.
Rama tha se drafti përfshin gjithashtu kredi me interes zero për çiftet e reja dhe kredi me interes 3% për personat që nisin iniciativa të tyre. Sipas tij, paketa synon të mbështesë disa mijëra apartamente në vit në kryeqytet, ku kostot e strehimit përbëjnë një sfidë më të madhe.
Kryeministri paralajmëroi edhe rritjen e buxhetit për politikat e punësimit të të rinjve dhe financime për startup-et e sipërmarrje të tjera, me shtetin si garant.
“Për të gjithë ata të rinj që duan të punojnë dhe të shkollohen, do të punojmë për të vënë në dispozicion financa për startup-et dhe të tjera”, u shpreh ai, duke iu referuar si model iniciativës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Rama shtoi se për hartimin e paketës është bashkëpunuar me Francën dhe Italinë, të cilat, sipas tij, kanë prezantuar masa të ngjashme.


