Rama prezanton planin për bizneset: Financim pa kufi për idetë fituese
Kryeministri Edi Rama prezantoi Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, një nismë që synon të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përgatiten për Tregun Unik Europian.
Sipas Ramës, programi parashikon financim me interesa të ulëta për bizneset e vogla dhe të mesme, përmes një marrëveshjeje mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë. Ai theksoi se nuk do të ketë kufi të paracaktuar për fondet.
“Ne nuk do të ndalemi tek një kuotë financimi. Nëse do të ketë nevojë për më shumë, do të vëmë në dispozicion më shumë. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje të vogël e të mesme që paraqet një ide bindëse dhe një plan të besueshëm që nuk do të mbështetet financiarisht”, deklaroi Rama.
Programi parashikon gjithashtu asistencë për hartimin e planeve të biznesit dhe përgatitjen e aplikimeve për financim.
Një fokus i veçantë i është kushtuar ekosistemit të startupeve. Rama bëri të ditur se financimi për programin “Startup Albania” është dyfishuar, pasi numri i aplikimeve është rritur nga më pak se 100 në mbi 1 200 këtë vit.
Kryeministri njoftoi gjithashtu hartimin e Strategjisë Industriale dhe Strategjisë Kombëtare të Eksporteve, të cilat synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve shqiptare.
Në kuadër të programit, synohet informimi individual i rreth 48 mijë ndërmarrjeve në të gjithë vendin, ngritja e një platforme kombëtare të mbështetjes së biznesit, krijimi i një rrjeti ekspertësh dhe organizimi i qindra trajnimeve për standardizimin dhe certifikimin sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Rama theksoi se universitetet do të kenë rol të rëndësishëm në këtë proces, ndërsa sipas tij, anëtarësimi në BE do t’u japë bizneseve shqiptare mundësinë të operojnë në të gjithë tregun europian, por edhe t’i përballë ato me standarde dhe konkurrencë më të lartë.
Për të mbështetur sipërmarrjet gjatë këtij procesi, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të krijojë një portal të dedikuar, ku bizneset do të marrin informacion dhe asistencë në kohë reale për integrimin në tregun e përbashkët europian.







