Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, të cilat synojnë të lehtësojnë shpenzimet e familjeve shqiptare për produktet ushqimore.
Gjatë prezantimit, Rama njoftoi se është arritur një marrëveshje me pesë subjekte të mëdha të tregtimit të ushqimeve, për të ofruar çmime të reduktuara dhe të pandryshueshme për një sërë produktesh deri më 12 janar 2027.
Sipas kryeministrit, aktualisht në platformë janë përfshirë mbi 200 artikuj, ndërsa objektivi është që numri i tyre të arrijë në 1 mijë deri në fund të vitit.
“Jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, Pasqyrën e Çmimeve, dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh, të cilët do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri në 12 janar të vitit të ardhshëm”, deklaroi Rama.
Ibrahimaj: Ulje mesatare 20-22%, për disa produkte deri në 40%
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se produktet e përfshira në marrëveshje do të kenë ulje mesatare të çmimeve prej 20-22%, ndërsa për disa artikuj reduktimi do të arrijë deri në 40%.
Sipas saj, platforma do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve ushqimore në subjekte të ndryshme tregtare dhe të identifikojnë ofertat më të favorshme.
“Mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%”, u shpreh Ibrahimaj.
Rama: Nuk do të vendosim çmime, synojmë konkurrencë të ndershme
Kryeministri sqaroi se nisma nuk synon vendosjen e çmimeve nga shteti, por rritjen e transparencës dhe nxitjen e konkurrencës në treg.
Ai theksoi se subjektet pjesëmarrëse do të përditësojnë çmimet në platformë, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të ndjekin ndryshimet dhe të krahasojnë kostot e produkteve në kohë reale.
Rama paralajmëroi gjithashtu zgjerimin e nismës me biznese më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, duke kërkuar përfshirjen e sa më shumë operatorëve tregtarë.
Sipas tij, “Pasqyra e Çmimeve” është pjesë e projektit më të gjerë “Pasqyra Albania”, që synon të rrisë transparencën dhe aksesin e qytetarëve në informacionet publike.
Qeveria shpreson që marrëveshja me supermarketet dhe furnitorët të sjellë lehtësim të shpenzimeve të përditshme, ndërsa efekti real i nismës do të varet nga zbatimi i uljeve të paralajmëruara dhe përfshirja e më shumë subjekteve tregtare.


