Ministri izraelit vlerëson Ramën: Një nga liderët më etikë në botë

12 Oct 2026 • 21:24
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka vlerësuar kryeministrin Edi Rama pas takimit të zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në arenën ndërkombëtare.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kryediplomati izraelit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, Shqipëria dhe kryeministri Rama i kanë dhënë Izraelit, veçanërisht në periudha të vështira.

“Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në botë sot”, shkroi Sa’ar.

Reklamë Ola

Ai e përshkroi kryeministrin shqiptar si një zë të qartë dhe të guximshëm në skenën ndërkombëtare, duke vlerësuar qëndrimet e tij ndaj çështjeve të sigurisë.

“Rama është një mik i shquar i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë edhe në kohë sfiduese”, theksoi ministri izraelit.

Reklamë InterMedika

Sa’ar vlerësoi gjithashtu angazhimin e Ramës për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin e tij kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.

Në fokus marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet ndërkombëtare

Gjatë takimit në Tiranë, dy zyrtarët diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Sipas ministrit izraelit, pjesë e bisedimeve ishin edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

“Ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve, si dhe situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor”, shkroi Sa’ar.

Në përfundim të mesazhit, ai falënderoi kryeministrin shqiptar për miqësinë dhe mbështetjen ndaj Izraelit.

“Faleminderit, Edi, për miqësinë tuaj të guximshme dhe miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin”, përfundoi kryediplomati izraelit.