PS kërkon fazën e dytë të Reformës Territoriale Nga 61 në 46 bashki, PS propozon komision të ri

12 Oct 2026 • 21:48
Shpërndaje:

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, pas miratimit të ndarjes së re që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46.

Nisma synon të përgatisë ndryshimet ligjore që do të përcaktojnë organizimin, kompetencat dhe financimin e bashkive të reja, të cilat pritet të nisin funksionimin pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Sipas kërkesës së socialistëve, faza e dytë e reformës do të përqendrohet në tri drejtime kryesore: funksionet dhe shërbimet vendore, financat e bashkive dhe krijimin e një niveli rajonal funksional.

Reklamë Ola

Ndryshime në ligjet për bashkitë dhe financat vendore

Komisioni i propozuar do të shqyrtojë kuadrin ligjor ekzistues dhe do të hartojë propozime për thellimin e decentralizimit administrativ dhe financiar.

Reklamë InterMedika

Në fokus do të jetë rishikimi i ligjit për vetëqeverisjen vendore, duke përfshirë përcaktimin e statusit të qytetit, organizimin e brendshëm të bashkive dhe standardet minimale të shërbimeve publike.

Një tjetër objektiv është ndryshimi i formulës së shpërndarjes së fondeve nga buxheti i shtetit drejt bashkive, duke marrë parasysh edhe të dhënat e Censit 2023.

Në dokumentin e paraqitur nga PS theksohet se bashkitë duhet të kenë kapacitetet e nevojshme financiare dhe administrative përpara se t’u transferohen kompetenca të reja.

“Nuk mund t’u shtohen kompetenca bashkive që sot nuk i kryejnë dot as ato që kanë; bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër”, thuhet në kërkesë.

Reforma parashikon gjithashtu shqyrtimin e organizimit të nivelit rajonal, me synimin për të përmirësuar zhvillimin rajonal dhe për të lehtësuar përfitimin nga fondet e Bashkimit Europian.

Komision me 16 anëtarë dhe mandat nëntëmujor

Sipas propozimit, komisioni do të përbëhet nga 16 deputetë, të përfaqësuar sipas grupeve parlamentare.

Drejtimi i tij do t’i takojë shumicës parlamentare, ndërsa posti i zëvendëskryetarit do të mbahet nga një përfaqësues i opozitës.

Mandati i komisionit propozohet të jetë nëntë muaj nga miratimi i vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi.

Në mbështetje të punës së tij parashikohet ngritja e një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe organizimi i konsultimeve me bashkitë, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Komisioni do të bashkëpunojë edhe me Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore për çështjet që lidhen me përfaqësimin.

Sipas kërkesës së socialistëve, ndryshimet ligjore duhet të përfundojnë përpara nisjes së funksionimit të 46 bashkive të reja, pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Kërkesa i është drejtuar Kuvendit, i cili duhet të vendosë për ngritjen dhe përbërjen e komisionit të ri parlamentar.