Kryeministri Edi Rama priti sot në ambientet e Kryeministrisë komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ndodhet në Tiranë në kuadër të aktiviteteve të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja Kos do të marrë pjesë në sesionin përmbyllës të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e cila ka në fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe integrimin gradual të rajonit në tregun unik evropian.
Gjithashtu, të premten, më 27 nëntor, Kos do të marrë pjesë në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që do të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve të rajonit.
Samiti pritet të shërbejë si një platformë për diskutimin e ecurisë së reformave, zbatimin e Planit të Rritjes dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm drejt integrimit ekonomik dhe anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Vizita e komisioneres Kos në Tiranë vjen një ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku udhëheqësit evropianë rikonfirmuan angazhimin ndaj perspektivës së anëtarësimit të rajonit në BE dhe kërkuan përshpejtimin e reformave.


