Hoxha: Shqipëria ka siguruar mbi 212 milionë euro nga Plani i Rritjes, synon mbylljen e negociatave në 2027

26 Nov 2026 • 15:00
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor “New Frontier”, në Tiranë, theksoi potencialin e rajonit për të kontribuar në konkurrueshmërinë ekonomike të Evropës, sigurinë energjetike dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit.

Kryediplomati shqiptar nënvizoi se integrimi ekonomik dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të përfitojnë nga integrimi përpara anëtarësimit të plotë.

Hoxha bëri të ditur se Shqipëria ka siguruar mbi 212 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes parafinancimit dhe pagesave të lidhura me zbatimin e reformave, ndërsa së shpejti pritet një disbursim tjetër me vlerë të përafërt.

Reklamë Ola

Duke iu referuar ecurisë së negociatave për anëtarësim në BE, ministri theksoi se Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Objektivi i vendit mbetet përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027.

Ndërlidhja infrastrukturore, energjia dhe teknologjia u identifikuan nga Hoxha si tri fusha strategjike me potencial të lartë për investime. Në këtë kuadër, ai veçoi rëndësinë e Korridorit VIII, Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe Gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP), si dhe mundësitë për zhvillimin e inteligjencës artificiale, prodhimit të avancuar dhe agrobiznesit modern.

Reklamë InterMedika

Ministri vuri gjithashtu theksin te zhvillimi i kapitalit njerëzor, forcimi i kapaciteteve institucionale, transparenca në prokurimet publike dhe investimet në arsim e aftësim profesional, si faktorë thelbësorë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme.

Në përfundim, Hoxha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për krijimin e një tregu më konkurrues dhe tërheqës për investitorët, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve në konferencë që mundësitë e identifikuara t’i konkretizojnë përmes projekteve, partneriteteve dhe marrëveshjeve të reja.