Balla vizitë në fabrikën e qumështit “Mireli” në Kavajë: Patriotizmi është të konsumosh prodhime shqiptare
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, vizitoi Fabrikën e Qumështit “Mireli” në Kavajë, duke vlerësuar punën e sipërmarrësve shqiptarë që investojnë në prodhim vendas dhe kontribuojnë në ekonominë e vendit.
Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e fabrikës, Balla u njoh me procesin e përpunimit të qumështit, nga grumbullimi i lëndës së parë në zonat e Lushnjës dhe Kavajës, deri te pasterizimi dhe prodhimi i produkteve të bulmetit.
“Mirënjohje atyre që prodhojnë #MadeinAlbania”, u shpreh Balla, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes dhe konsumit të produkteve shqiptare.
Fabrika “Mireli”, e nisur si biznes që prej vitit 1992, është një shembull i sipërmarrjes vendase që ka ndërtuar kapacitete moderne për përpunimin e qumështit dhe ruajtjen e standardeve të cilësisë. Në ambientet e saj u prezantua edhe procesi i ruajtjes së produkteve në kushte të kontrolluara temperature, duke garantuar cilësi dhe siguri për konsumatorin.
“Patriotizmi është të konsumosh prodhime shqiptare”, ishte mesazhi i kësaj vizite në mbështetje të prodhuesve vendas.







