×
Sunday, July 12, 2026

Balla nga Kavaja: Sulmet online ndaj turizmit dëmtojnë ekonominë dhe punën e shqiptarëve

July 12, 2026


Gjatë një takimi me njerëzit e punës në mjediset e Mobileri Simaku në Kavajë, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ngriti shqetësimin për sulmet online ndaj bizneseve turistike shqiptare, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e vendit.

Balla u shpreh se turizmi është një pasuri kombëtare dhe se çdo goditje ndaj hoteleve, restoranteve, bujtinave dhe sipërmarrjeve turistike prek drejtpërdrejt punën e mijëra shqiptarëve.

“Imazhi i Shqipërisë janë përshtypjet që të huajt lënë te bizneset tona, te hotelet, restorantet dhe çdo vend ku ata marrin shërbim. Kush dëmton këto biznese, dëmton turizmin dhe ekonominë e shqiptarëve.”

Balla theksoi se vlerësimet online kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e turistëve dhe në suksesin e një biznesi, duke shtuar se përballë sulmeve të tilla është kërkuar ndërhyrja e kompanive ndërkombëtare të teknologjisë.

“U desh që qeveria jonë të shkonte te drejtuesit më të lartë të Google për t’u thënë se ka ndodhur një sulm kriminal kibernetik ndaj këtyre bizneseve shqiptare. Shqipëria është goditur nga disa shqiptarë që u ka marrë perëndia mend, dhe që po dëmtojnë bizneset shqiptare.”

Nga Kavaja, Balla nënvizoi se mbrojtja e turizmit do të thotë mbrojtje e punës, investimeve dhe imazhit të Shqipërisë në sytë e vizitorëve vendas dhe të huaj.




Comments are closed.