Kryeministri Edi Rama deklaroi se aktet e dhunës gjatë protestave synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe devijimin e rrugës së saj. Në një komunikim për mediat me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ai pretendoi se pas personave të përfshirë qëndrojnë krimi i organizuar dhe aktorë të huaj.
“Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer pas në të shkuarën. Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja”, u shpreh Rama.
Kryeministri e lidhi sërish dhunën me Antifan, duke e cilësuar atë si “terror urban”. Në deklaratën e cituar nuk paraqiti prova konkrete për këto pretendime.
Rama bëri të ditur se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me Italinë dhe Francën për shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin e punës përballë trazirave.
Sipas tij, ministri Demo kishte zhvilluar një vizitë për të diskutuar me përfaqësues të vendeve evropiane mbi menaxhimin e situatës.
Krahas akuzave, kryeministri pranoi se ekzistojnë probleme reale që kërkojnë zgjidhje dhe se shqetësimet e shoqërisë dhe familjeve janë legjitime. Megjithatë, ai theksoi se këto pakënaqësi nuk mund të justifikojnë dhunën, dëmtimet dhe kërcënimet.
Rama kritikoi gjithashtu një pjesë të mediave, të cilat i akuzoi për relativizimin e dhunës në emër të studentëve.
Sipas kreut të qeverisë, adresimi i problemeve duhet të shoqërohet me kundërshtimin e akteve të dhunshme, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.


