Komisioni Evropian ka përshkallëzuar përplasjen me kompaninë Meta, duke i kërkuar të ndryshojë disa nga funksionet kryesore të platformave Facebook dhe Instagram, të cilat sipas hetimit paraprak nxisin varësinë e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Brukseli njoftoi se Meta dyshohet se ka shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (Digital Services Act), pasi platformat e saj janë projektuar me mekanizma që inkurajojnë përdorimin e tepërt të rrjeteve sociale.
Në qendër të hetimit janë funksione si lëvizja e pafund e përmbajtjes (“infinite scroll”), riprodhimi automatik i videove (“autoplay”), njoftimet “push” dhe algoritmet e rekomandimit, të cilat, sipas Komisionit Evropian, i shtyjnë përdoruesit të kalojnë më shumë kohë në platforma dhe rrisin rrezikun e përdorimit kompulsiv.
Komisioni Evropian i ka kërkuar Meta-s të kufizojë ose të heqë disa prej këtyre funksioneve dhe të vendosë mekanizma më efektivë që ndihmojnë përdoruesit të ndërpresin kohën e përdorimit të rrjeteve sociale.
Sipas Brukselit, masat e deritanishme të kompanisë nuk janë të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e varësisë, veçanërisht te të miturit.
Meta ka kundërshtuar gjetjet paraprake të Komisionit, duke deklaruar se ka investuar në mjete për mbrojtjen e të rinjve, kontrollet prindërore dhe kufizimet e kohës së përdorimit. Kompania ka të drejtë të paraqesë argumentet e saj gjatë procesit.
Nëse shkeljet konfirmohen pas përfundimit të hetimit, Meta mund të përballet me një gjobë deri në 6% të të ardhurave të saj globale vjetore, e cila sipas vlerësimeve mund të kalojë 12 miliardë dollarë.