Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian të mos e lënë pas Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit, duke deklaruar se një skenar i tillë do të përbënte një dështim të madh edhe për vetë Europën.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, Rama theksoi se perspektiva europiane mbetet një nga çështjet e pakta për të cilat, sipas tij, politika shqiptare është gjerësisht dakord.
Kryeministri tha se Shqipëria ka një “përparësi” krahasuar me vendet që tashmë janë pjesë e unionit, pasi shqiptarët vazhdojnë ta shohin me entuziazëm projektin europian.
“Krahasuar me vendet europiane, ne kemi përparësi, sepse ende ne e dashurojmë BE-në”, u shpreh Rama, duke shtuar se në disa vende anëtare Bashkimi Europian merret tashmë si diçka e mirëqenë.
Sipas tij, pavarësisht debateve të forta politike brenda vendit, anëtarësimi në BE vazhdon të jetë një objektiv që bashkon palët.
“Çdo ditë e kemi kapacitetin për të gjetur arsye që të mos jemi dakord me njëri-tjetrin, ama për një gjë kemi rënë dakord, që duam të jemi pjesë e Europës”, tha kryeministri.
Rama më pas iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësuesve europianë, duke kërkuar që Ballkani Perëndimor të mos mbetet përsëri jashtë vëmendjes së unionit.
“Ne shpresojmë shumë, unë shpresoj shumë, që ju të mos na lini përsëri në baltë”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, në kushtet aktuale gjeopolitike, një dështim i procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor nuk do të prekte vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë Bashkimin Europian.
“Nëse Europa do të lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, nuk do jetë thjesht dështim, por do jetë dështimi më madhor”, tha Rama.
Deklaratat vijnë ndërsa zgjerimi është rikthyer në qendër të diskutimeve europiane dhe Shqipëria po synon përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.


