Rama nga Luksemburgu: Synojmë të mbyllim të paktën 8 kapituj të tjerë brenda vitit

13 Oct 2026 • 18:32
Shpërndaje:

Shqipëria pritet të mbyllë sot përkohësisht Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Nga Luksemburgu, ku po zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit po ecën sipas planit dhe se qeveria synon të përshpejtojë mbylljen e kapitujve negociues deri në fund të vitit.

Në një prononcim për mediat, gjatë mbërritjes në Qendrën Europiane të Konventave, Rama u shpreh se Shqipëria është e vendosur të përmbushë të gjitha detyrimet brenda afateve të përcaktuara.

Reklamë Ola

“Jemi rikthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të riafirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam zhvilluar disa takime inkurajuese lidhur me hapat e ardhshëm”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se plani i qeverisë mbetet ambicioz dhe shprehu bindjen se Shqipëria do t’i përmbushë angazhimet e saj në kohë.

Reklamë InterMedika

“Brenda këtij viti synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj dhe jam absolutisht i bindur se, për sa na përket neve, do t’i përmbushim të gjitha detyrimet brenda afateve të përcaktuara”, tha Rama.

Rama: Të paktën dyfishi i kapitujve aktualë presin të mbyllen

I pyetur se sa kapituj të tjerë mund të mbyllen deri në fund të vitit, kreu i qeverisë nuk dha një shifër përfundimtare, por deklaroi se objektivi është të paktën dyfishi i numrit aktual.

“Nuk po merrem me numra, por thjesht po them se sot mbyllim edhe një kapitull tjetër, duke e çuar numrin në katër. Dhe janë të paktën dyfishi i këtij numri që presin të mbyllen brenda këtij viti. Të shohim!”, u shpreh ai.

Me mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, numri i kapitujve negociues të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria do të arrijë në katër.

Mbyllja e kapitujve mbetet pjesë e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe nuk nënkupton përfundimin e plotë të tyre, ndërsa Shqipëria synon të përmbushë objektivat e vendosura në rrugën drejt Bashkimit Europian.