Kryeministri Edi Rama është takuar në Luksemburg me homologun e tij, Luc Frieden, me të cilin ka diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Me Kryeministrin Luc Frieden, për marrëdhëniet dypalëshe dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka njoftuar gjithashtu një zhvillim të ri në lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut.
Sipas tij, duke nisur nga muaji mars, kompania ajrore luksemburgase Luxair do të ofrojë fluturime direkte mes dy vendeve.
“Nga marsi edhe Luksemburgu do të ketë fluturimin direkt me Shqipërinë, përmes kompanisë së flamurit Luxair”, njoftoi kryeministri.
Takimi zhvillohet gjatë vizitës së Ramës në Luksemburg, në kuadër të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku është parashikuar mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit.
Linja e re ajrore pritet të krijojë një mundësi shtesë udhëtimi mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe vizitorëve mes dy vendeve.


