Kryeministri Edi Rama ka folur nga New York-u për projektet e shumëdiskutuara turistike në Zvërnec dhe Sazan, duke deklaruar se bëhet fjalë për një investim prej rreth 4 miliardë eurosh, ndërsa theksoi se po punohet për të vlerësuar ndikimin dhe rreziqet reale për mjedisin.
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Staten Island, Rama e lidhi projektin me strategjinë e qeverisë për të rritur numrin e turistëve dhe për të tërhequr në Shqipëri vizitorë me fuqi më të lartë blerëse.
“Synimi është që nga 12 milionë vizitorë në Shqipëri, ta çojmë në 20 milionë. Tashmë synimi është që në Shqipëri të sjellim turistin me të ardhura të larta”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, të njëjtit objektiv i shërbejnë edhe projektet e parashikuara në Zvërnec dhe Sazan.
“Këtë synim ka edhe projekti i shumëdiskutuar, i famshëm, por edhe famëkeq si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve dhe politikës, Zvërneci dhe Sazani. Ky projekt sjell 4 miliardë euro në një ekonomi që në total është 27 miliardë euro”, deklaroi Rama.
Kryeministri pranoi se përmasat e investimit e bëjnë projektin të rëndësishëm ekonomikisht, por njëkohësisht delikat për shkak të ndikimit të mundshëm në mjedis.
“I jashtëzakonshëm për Shqipërinë, por edhe delikat në ekuilibrin me mjedisin. Po punojmë shumë për të studiuar impaktin dhe për të kuptuar risqet reale”, tha ai.
Çështja e ndikimit mjedisor ka qenë një nga pikat kryesore të debatit për zhvillimet e parashikuara në zonë. Qeveria ka bërë të ditur më herët se për projektin në Sazan autoritetet kanë kërkuar një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, i cili duhet të shqyrtojë efektet e mundshme mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet bregdetare dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Gjatë takimit, Rama u ndal edhe te “Paketa e Maleve”, duke deklaruar se ajo është konceptuar për qytetarët që kanë prona apo toka të trashëguara në zonat malore dhe jo për t’ua kaluar ato investitorëve të tjerë.
“Paketa e Maleve është bërë për të gjithë ata që kanë pronën atje dhe asnjë investitor tjetër nuk do të ketë akses nëse nuk është partneri juaj dhe nuk është dëshira juaj për ta pasur atje”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, shndërrimi i zonave malore në burime ekonomike dhe turistike është pjesë e strategjisë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit shqiptar.
Qeveria e ka prezantuar më herët “Paketën e Maleve” si një instrument që u mundëson familjeve dhe sipërmarrësve të vegjël të investojnë në tokat e trashëguara, përfshirë raste ku mungojnë titujt përfundimtarë të pronësisë, përmes procedurave të përcaktuara nga ligji.
Në fund të takimit, Rama shkëmbeu edhe batuta me pjesëmarrësit, duke falënderuar organizatorët dhe komunitetin shqiptar për mikpritjen gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara.


