Rama në Gjermani, takohet me kryeministrin e Nordrhein-Westfalenit
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u takua me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst.
Gjatë takimit në Düsseldorf u diskutua forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike e industriale të Gjermanisë. Në fokus të bisedimeve ishin investimet, teknologjia digjitale, arsimi profesional, si dhe mbështetja për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të vizitës, Rama do të marrë pjesë në Ruhr Summit, një nga aktivitetet më të rëndësishme në Evropë për inovacionin, sipërmarrjen dhe teknologjinë.
Kryeministri do të mbajë fjalën në panelin kryesor me temë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”, ndërsa më pas do të jetë pjesë e diskutimit “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me drejtues të kompanive të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare.






