Rama në Bruksel: Integrimi në BE duhet të bazohet në meritë, jo në rrugë alternative

16 Nov 2026 • 17:56
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bazuar në meritë, duke kundërshtuar propozimet për krijimin e formave alternative të integrimit për vendet kandidate.

Gjatë Forumit të Dytë të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, Rama deklaroi se procesi aktual është një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë, pasi ndihmon në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e kapaciteteve shtetërore.

Në panelin me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, të moderuar nga Suzanne Lynch e Bloomberg, morën pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, komisioneri europian Valdis Dombrovskis dhe eurodeputeti Thijs Reuten.

Reklamë Ola

Rama kundërshton format alternative të anëtarësimit

Kryeministri theksoi se ka mbështetur prej kohësh integrimin e bazuar në përmbushjen e kritereve, ndërsa vlerësoi Planin e Rritjes së BE-së si një instrument që ndihmon vendet kandidate të zvogëlojnë hendekun ekonomik dhe institucional me unionin.

Reklamë InterMedika

“Plani i ri i rritjes është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e BE-së vetë. Sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë kapacitete për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme”, deklaroi Rama.

Ai kundërshtoi idetë për modele alternative, përfshirë propozimet për një status të asociuar për Ukrainën.

“Mendoj se përpjekjet për të bërë gjëra si ato që ju përmendët, si anëtar i asociuar për Ukrainën, nuk shkojnë askund. E para, sepse është një gënjeshtër; e dyta, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin e instrumentit të integrimit të BE-së, që është një proces i mbështetur në meritë”, u shpreh kryeministri.

“Procesi i integrimit është një dhuratë për ne”

Rama argumentoi se kërkesat e BE-së kanë ndikuar drejtpërdrejt në transformimin institucional të Shqipërisë.

“Procesi i bazuar në meritë është një dhuratë për ne. Është një proces i cili na bën të aftë të bëjmë gjëra që nuk do të ishim në gjendje t’i bënim”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë e krahasoi anëtarësimin pa përmbushur kriteret me marrjen e një patente drejtimi pa zotëruar aftësitë e nevojshme.

“Të kërkosh të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë është njësoj si të marrësh një patentë pa ditur t’i japësh makinës. Rrezikon veten, rrezikon edhe të tjerët”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri vlerësoi rolin e Komisionit Europian në monitorimin e reformave, duke përdorur edhe ironi për kërkesat e vazhdueshme ndaj vendeve kandidate.

“Mendoj që Komisioni ka të drejtën të na torturojë dhe e bën në mënyrë të përsosur. Ndërkohë, ne përmirësohemi falë kësaj torture”, deklaroi Rama.

Sipas tij, ajo që i mungon aktualisht procesit të zgjerimit është vendimmarrja politike, ndërsa mekanizmi i integrimit të bazuar në meritë duhet të ruhet.