Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të hënë, më 12 tetor, hapjen e aplikimeve për Programin e Financimit të Doktoraturave 2026, i cili synon të mbështesë studentët doktorantë në zhvillimin e projekteve kërkimore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se programi do të ofrojë mbështetje financiare për kërkime shkencore që mund të kontribuojnë në zhvillimin e shkencës, ekonomisë dhe politikave publike në Shqipëri.
Sipas Ramës, skema e financimit po zgjerohet nga viti në vit, përmes rritjes së buxhetit, shtimit të mundësive për aplikim dhe thjeshtimit të procedurave për doktorantët dhe universitetet.
“Hapen aplikimet për Programin e Financimit të Doktoraturave 2026, një mbështetje e drejtpërdrejtë për doktorantët në realizimin e projekteve kërkimore me potencial për të kontribuar në zhvillimin e shkencës, ekonomisë dhe politikave publike të vendit”, shkruan kryeministri.
Ai theksoi se programi synon të kthehet në një mekanizëm të qëndrueshëm financimi për kërkimin shkencor.
Nisma zbatohet përmes Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
Për vitin 2026, buxheti i programit tejkalon 600 mijë euro, ndërsa financimi mund të arrijë deri në 10 mijë euro për doktoraturat kërkimore standarde dhe deri në 30 mijë euro për doktoraturat industriale.
Programi synon të krijojë më shumë mundësi për studiuesit e rinj dhe të forcojë lidhjen mes kërkimit shkencor, universiteteve dhe nevojave të zhvillimit ekonomik të vendit.


