Doktoraturat, financim deri në 30 mijë euro për student

12 Oct 2026 • 11:53
Shpërndaje:

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) kanë hapur thirrjen për financimin e studimeve të doktoraturës për vitin 2026, me një buxhet që tejkalon 600 mijë euro.

Gjatë prezantimit të programit, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se mbështetja financiare për doktorantët është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde dhe deri në 30 mijë euro për doktoraturat industriale.

“Nëse vitin e kaluar kishim në dispozicion një buxhet rreth 100 mijë euro, këtë vit buxheti i dedikuar kalon 600 mijë euro”, deklaroi Kumbaro.

Reklamë Ola

Dy kategori financimi për doktorantët

Programi i këtij viti do të funksionojë përmes një thirrjeje të vetme kombëtare, e ndarë në dy kategori: doktoraturat kërkimore standarde, të klasifikuara si Kategoria A, dhe doktoraturat industriale, të përfshira në Kategorinë B.

Reklamë InterMedika

Sipas ministres, të dyja kategoritë do të ndjekin të njëjtat rregulla administrative, financiare dhe monitorimi, me synimin për të thjeshtuar procesin e aplikimit dhe për të rritur transparencën.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet inovacionit dhe fushave STEM, që përfshijnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën.

Programi synon të mbështesë formimin e studiuesve të rinj dhe zhvillimin e projekteve kërkimore që mund të kontribuojnë në ekonomi, shkencë dhe politikat publike.

Kredi studentore me interes 0.5%

Kumbaro njoftoi gjithashtu se janë hapur aplikimet për skemën e kredive studentore, nga e cila mund të përfitojnë deri në 500 studentë.

Sipas saj, buxheti i shtetit mbulon pjesën më të madhe të interesit, ndërsa studentëve u mbetet një normë interesi prej 0.5%.

Kredia mund të përdoret si për tarifat e studimit, ashtu edhe për shpenzimet e jetesës, përfshirë qiranë, ushqimin dhe transportin.

Ministrja përmendi edhe investimet në laboratorët universitarë, përmes programeve të financimit të infrastrukturës së kërkimit shkencor.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë, drafti në fund të tetorit

Një tjetër çështje e trajtuar ishte rishikimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Kumbaro bëri të ditur se puna po vijon në bashkëpunim me universitetet dhe se drafti i parë pritet të përfundojë në fund të këtij muaji.

Ndryshimet synojnë përafrimin e programeve universitare me nevojat e tregut të punës dhe objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit.

Gjatë aktivitetit, ministrja deklaroi gjithashtu se Universiteti i Tiranës është përfshirë në renditjen ndërkombëtare Times Higher Education World University Rankings 2027, ndërsa gjashtë universitete të tjera shqiptare kanë statusin “Reporter”.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, vlerësoi rritjen e fondeve për doktorantët, duke e cilësuar financimin e kërkimit shkencor si një element të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë.

Sipas tij, politikat e reja krijojnë më shumë mundësi për studentët që synojnë të ndjekin studimet doktorale dhe të angazhohen në projekte kërkimore.