Kryeministri Edi Rama pritet të mbërrijë rreth orës 13:00 në Aeroportin “Nënë Tereza”, pas përfundimit të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ndërsa menjëherë pas kthimit do t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh nga salla e shtypit në Rinas.
Përmbajtja e deklaratës së kryeministrit vijon të mbahet e rezervuar, duke nxitur hamendësime mbi çështjet që ai do të adresojë.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke raportuar nga terminali VIP në Rinas, bëri të ditur se një burim qeveritar që ka qenë me Ramën gjatë vizitës në SHBA ka deklaruar se mesazhi do të jetë një “qëndrim për situatën aktuale”.
Nuk janë dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e fjalës së kryeministrit.
Mesazhi vjen në një moment kur debati politik në vend është përqendruar te hetimet e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është vendosur masa e arrestit në shtëpi.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që Rama të ndalet edhe te zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe mënyrën se si është proceduar ndaj saj. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se çështja Hyseni do të jetë tema kryesore e deklaratës.
Rama ka qëndruar gjashtë ditë në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe zhvilloi takime me komunitetin shqiptar.
Kryeministria kishte njoftuar që një ditë më parë se Rama do t’u drejtohej shqiptarëve menjëherë pas kthimit në vend, por ora e deklaratës nuk ishte përcaktuar për shkak të kushteve atmosferike dhe pasigurisë për orarin e nisjes nga aeroporti JFK në New York.
Vëmendja tashmë është përqendruar në Rinas, ku pritet të mësohet se cilës “situatë aktuale” do t’i referohet kryeministri në mesazhin e tij.


